e enjte, shkurt 23, 2006

Shehu- Llakajt: ”Inkurajoi kuadrot e rinj!“



Veli Llakaj

Fillimviti 1975Tension dhe gatishmëri në ushtriKuadrove të rinj të sapoemëruar në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, në vend të “puçistëve” që u ndëshkuan, u duhej të përballonin që në ditët e para të punës një detyrë të vështirë e delikate, hartimin e planit të ri operativo-strategjik. Ndërsa disa kuadro, kryesisht ata që kishin mbaruar akademitë ruse, që kishin treguar aftësi të mira në planëzim e drejtim (por që nuk ishin në poste kyçe), për të cilët shefi i Shtabit të Përgjithshëm, i sapoemëruar, Veli Llakaj, kërkon t’i rrisë në përgjegjësi e t’i angazhojë në këtë punë specifike, nuk ia miratojnë. Kjo për shkak se ata ishin në “shënjestrën” e dyshimit nga partia si bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja. Referuar dokumenteve të kohës në arkivën e Ministrisë së Mbrojtjes, kujtimet e oficerëve madhorë, bashkëpunëtorë të Mehmet Shehut, që ende janë gjallë, në situatën e krijuar pas dhjetorit 1974 e në vazhdim pas zbulimit të “puçistëve” , spikat energjia, përkushtimi dhe aftësia e Mehmetit që kishte marrë në dorë “frenat” e Ministrisë së Mbrojtjes. Mes shënimeve që afron për lexuesin Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, jepet dhe një detaj interesant, ku Mehmeti shpreh pakënaqësinë për ritmet e punës së ushtarakëve madhorë si dhe preokupimi i tij për ritme të larta në punë e drejtim në planëzim luftarak dhe të gjithë dinamikën e strukturave të mbrojtjes. Siç del në vazhdim të shënimeve të Llakajt, Mehmet Shehu do të ishte vetë në krye në çdo etapë të realizimit të detyrës së vënë nga partia dhe Enver Hoxha për hartimin e planit operativo-strategjik të mbrojtjes, si kundërvënie e frymës së “Tezave të zeza” të “puçistëve”. Nga Kujtim Boriçi Nesër do të lexoni:-Çfarë biseduan Mehmet Shehu e Veli Llakaj para nisjes së rikonjicionit në jug të vendit. -Porosia e Enver Hoxhës, ushtarakëve madhorë, për ishullin e Sazanit. Plani i ri operativo-strategjik i mbrojtjesDetyra e vënë nga Enver Hoxha për planin operativo-strategjik të mbrojtjes, detyrë e cila binte direkt mbi “shpatullat” e mia, kishte impenjuar maksimalisht edhe Mehmet Shehun, që krahas funksionit të kryeministrit, ishte edhe ministër i Mbrojtjes. Siç e kam theksuar dhe në shënimet e mia të mëparshme, falë edukatës spartane të punës që e karakterizonte, aftësive dhe njohurive në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në atë të mbrojtjes, ai ishte shembull në punë dhe në kërkesën e llogarisë. Kujtoj se në ato momente të vështira, para se të nisnim rikonjicionin (shkelje e terrenit pëllëmbë për pëllëmbë) e pothuaj gjatë gjithë kohës që vazhdoi kjo detyrë, ai nuk u nda nga ne. Takimet e mia të punës me të pothuaj u bënë të përditshme. Një ditë më thërret në zyrë, por ndryshe nga informacionet e përditshme, më drejtohet: “Dëgjo, Veli. Partia ka vënë në detyrat kyçe në Ministrinë e Mbrojtjes, në një situatë kur duhet që të godasim frymën e tezave antiparti të Beqirit e bashkëpunëtorëve, kuadro të rinj në moshë e pa ndonjë eksperiencë të madhe drejtimi në shtabe, por bëj kujdes, mbaj afër, lëru hapësirë të materializojnë njohuritë e tyre e t’i vënë në praktikë, përkrahi. Këtë vëre vath në vesh!”. Në të vërtetë, puna direkte e Mehmetit dhe ky inkurajim sikur ma lehtësuan disi barrën, më hoqi dhe frikën që kisha edhe unë si shumë ushtarakë të tjerë në atë situatë. E nuk do të zhgënjehesha nga kuadrot e rinj që kisha pranë në realizimin e kësaj detyre. Drejtoria operative, megjithëse e gjitha me kuadro te rinj, të paqenë asnjëherë në Shtabin e Përgjithshëm, por ishin kuadro të përzgjedhur, mjaft të ndërgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, të përgatitur, punëtorë e të palodhur. Ata ishin Bajram Mane për drejtimin, Serjan Halili për drejtimin, Halim Abazi për drejtimin, Pandi Opari për Tpruished (drejtimi për të gjithë), Lutfi Shehu për drejtimin, Idajet Kanani për drejtimin, Syrja Demcollari për drejtimin, skicograf Hysen Qendro, ne arshivën sekrete Shefqet Osmani, daktilografiste një fisnike, Afërdita Ibrahimi Këta ishin kuadrot kryesore që mbajtën peshën e rëndë të përpilimit të planit operativo-strategjik të mbrojtjes së vendit. Të gjithë të tjerët ishin ndihmës në këtë çështje kaq delikate, qoftë edhe drejtorët e komandat e ministrisë dhe ato të njësive, pasi pjesën dërrmuese do t’i merrnin të gatshme nga Shtabi i Përgjithshëm. Plani u përpilua nën drejtimin e Mehmet Shehut një personaliteti të pa zëvendësueshëm nga ana ushtarake, ku ndihma e tij ishte decizive për të gjithë kuadrot e Shtabit të Përgjithshëm, por veçanërisht, për mua, që duhej të isha në krye të kësaj përgatitjeje. Mehmet Shehu, si fillim më vuri detyrën që unë të punoja planet e mbrojtjes të të dy korpuseve dhe me caktoi korpusin e shtatë të Burrelit, korpus malor, dhe të Korpusit te Parë të Mbrojtjes Bregdetare në Fier. Pra, të dy korpuset që unë kisha qenë dikur komandant i tyre. Detyra ishte që pastaj të njoftoja Mehmetin, ti shikonte e korrigjonte e më vonë të vazhdonte puna normalisht. Këtë punë e fillova me shumë kujdes, duke pasur para hartën përkatëse të zonave të mbrojtjeve dhe mbi këtë bazë fillova punën grafike e tekstuale. Për çdo korpus mora oficerin e drejtimit përkatës. Trajtimi duhej bërë nga ana politike, ushtarake, përbërja e forcave dhe mjeteve, forcat armike që parashikoheshin në zonën e këtij korpusi, detyrat që kryente, rezervat materiale dhe urdhrin që i jepej nga Këshilli i Mbrojtjes etj. Puna e përbashkët me oficerin e drejtimit përkatës ishte tepër favorizuese, sepse njëri shkruante, kurse tjetri i hidhte në hartë nga ana grafike. Pas mbarimit të këtyre dy korpuseve lajmërova Mehmet Shehun se isha gati t’i paraqisja planet përkatëse. Po atë ditë më kërkoi bashkë me oficerin e drejtimit të korpusit malor Burrel. Mbasi e pa dhe bëri mjaft korrigjime e vërejtje, na porositi që këto do t’i ripunonim mbi këto ide që bëmë bashkarisht. Këtu Mehmeti shtoi: ”Por mos mendoni se janë përfundimtare, këto do të shikohen me drejtorin operativ, zëvendësin e tij, do të vijnë për t’i parë komandanti, komisari dhe shefi i shtabit të korpusit, pastaj do të bëjmë rikonicionin në terren, ku do të jenë komandanti, komisari e shefi i shtabit të brigadës e pastaj përsëri do t’i punojmë bashkarisht këtu në Shtabin e Përgjithshëm!” . Pastaj me pyeti: ”Po e marrim të mirëqenë këtë plan që punuam sot tërë ditën, si do të veprosh për të tjerët se për këta na more 10 ditë kohë e më shumë”. I tregova se si do të veproja, pra ashtu siç kisha vepruar me këta të dy. Ai me tha: ”Kështu si e paske mendjen ti, ne nuk mbarojmë as për një vit, prandaj ato shabllonet e akademisë edhe këtu futen në punë. Prandaj, pasi ta shikoj edhe një herë unë këtë korpus, pasi të shikojmë dhe atë në drejtimin bregdetar e të marrin viston tonë, bashkë edhe me dy shokët e tjerë, pra drejtorin e zëvendësdrejtorin operativ, duhet t’i fotokopjosh e të marrësh vetëm specifikën e secilit se gjerat e përgjithshme janë të përbashkëta e të detyrueshme për të gjithë”. Të gjithë korpuset kishin pothuajse dy detyra luftarake të gërshetuara në një të vetme, dikush më shumë e dikush me pak, por detyrat më të vështira i kishin korpusi i parë i mbrojtjes bregdetare me qendër në Fier dhe korpusi i katërt i mbrojtjes bregdetare me qendër në Tiranë, që përveçse rrezikut detar, rreziku tjetër më i vështirë ishte mundësia e përdorimit të desantit masiv ajror në zonat Thumanë, Fushë-Krujë, Fusha e Tiranës bashkë me periferinë e saj, Jubë-Sukthi në drejtim të Durrësit, Shijaku, Kavaja, Kodrat e Kryevidhit, Rrogozhinës, Tërbuf, Lushnjës, Rroskovecit, Berat, Kuçovë, Fier, Novoselë, Vlorë. Pa nënvleftësuar aspak drejtimet e korpuseve malore, sidomos fushën e Dropullit, Vurgut, Devollin, fushën e Korçës, Bizën e Martaneshit etj. Për të gjitha llojet e operacioneve kërkohej me imtësi harxhimi i municioneve të llogaritur në komplete luftarake në ditë luftimi, për çdo lloj arme e kalibri. Bashkëveprimi i përsosur me llojet e armëve e shërbimeve, sidomos në drejtimet bregdetare, ishte më vështirë sepse, duhej midis këmbësorisë, artilerisë tokësore, artilerisë kundërajrore, artilerisë bregdetare, tankeve, Flotës Luftarako-Detare dhe aviacionit, që nga pozicioni mino-artileri e deri në vijën e parë e në thellësi. Kujdes duhej në mbrojtjen kundërtanke, në kalimin e tankeve në pikat e kalimit në kanalet e fuqishme të bonifikimit etj. Pas përfundimit të hartimit të këtij plani nga Shtabi i Përgjithshëm, morën pjesë të gjitha drejtoritë e komandat e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore për sektorët e tyre, si dhe komandanti e shefi i shtabit të korpuseve. Komandat e korpuseve, pasi mbaruan në Shtabin e Përgjithshëm, këtë punë e bënë bashkë me komandantët e shefat e shtabeve të njësive brigadë, regjiment, shef, lloj arme e shërbimi. Më pas do t’i paraqitej Këshillit të Mbrojtjes. Plani u krye në terren, një rikonicion i përgjithshëm për çdo njësi e për çdo drejtim. Deri këtu pothuaj se kishim arritur suksesin e parimit, por jo atë të vendimit.