e mërkurë, mars 08, 2006

Llakaj: “Si u ndëshkuam nga Enveri unë dhe Maliq Sadushi!“



Veli Llakaj

“Biza-1980“Ngjarje e rëndë dhe e rrallë për ushtrinëDëshira për të qenë sa më shpejt në Tiranë për të parë ekipin e futbollit “Dinamo“ dhe të njohurin Haxhi Ballgjini, bën që në dimrin e ashpër të vitit 1980 dhjetëra rezervistë të inkuadruar në Brigadën e Parë (pasuese e njësisë të njohur në luftë), shumica punonjës të televizionit shtetëror, të braktisin pa realizuar detyrën luftarake. Nga ky shpartallim që ndodh 100 km larg Tiranës, shënohet edhe një viktimë. Por përballë një situate të tillë, ndër më të rrallat në njësitë e ushtrisë në atë kohë, vdekja e një rezervisti sikur mbetet në “hije“, përballë këmbënguljes së Enverit e Mehmetit për të nxjerrë shkaqet dhe ndëshkuar fajtorët. Siç pohon në shënimet e tij Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të parët ndëshkohen disa rezervistë, punonjës të televizionit, ku për dy propozohet heqja e titullit të oficerit rezervist e për disa të tjerëve i rekomandohet institucionit që t’i heqë nga puna. Ndërsa titullarët e Grupimit të Tiranës (komandant, komisar, sekretar partie) dhe ata të brigadës, shkarkohen nga detyra. Pa ndëshkim nuk mbeten edhe Veli Llakaj e Maliq Sadushi, dy zëvendësministrat, që paralajmërohen për shkarkime nga detyra. Njëkohësisht, sipas shënimeve të Llakajt, në analizën e shpartallimit të Brigadës së Parë gjatë marshimit, bërë në Këshillin e Mbrojtjes, dalin në pah edhe përplasjet apo kritika e Enverit ndaj Mehmetit, gjë që në praktikën e kohës nuk kishte ndodhur të shfaqeshin në publik. Nga Kujtim BoriçiNesër do të lexoni:-Pse dhe si u dënuar si “antiparti” e “agjent” ushtaraku i lartë Gjergj Titani.-Thirrja e Llakajt nga Hysni Kapo dhe detyra e tij:”Ka urdhëruar Enveri Hoxha, gjergji të ndëshkohet!”.-Si u inskenua dhe si u kryqëzua deri në prangosje Gjergj Titani.Shpartallimi i Brigadës së ParëBashkë me disa ushtarakë, në një përvjetor të çlirimit të Atdheut, kujtoj se i vajtëm për vizitë Mehmet Shehut. I thamë se vizita jonë nuk lidhet me të qenit tuaj si kryeministër i vendit, por me faktin se keni qenë komandant i Brigadës së Parë Sulmuese të krijuar në Vithkuq të Korçës e që ka dhënë një kontribut të madh në çlirimin e Shqipërisë nga okupatori. Mehmeti u gëzua tej mase, na priti siç dinte të priste ai, e në fund, në formën e një dëshire të brendshme, na tha: „A nuk do të bëni një stërvitje e marshim në rrugën që bëri Brigada e Parë gjatë luftës nacional-çlirimtare!“. I premtuam se po. E në të vërtetë, kjo njësi ushtarake, me një të kaluar të lavdishme, komandant i së cilës kam qenë edhe unë disa vite para se të bëhesha shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, ka një historik treguesish të rëndësishëm në gatishmëri e mbrojtje nga breza të tërë ushtarakësh. Pra ka bërë shumë stërvitje dhe marshime ku ka spikatur aftësia e komandës, shtabit e trupës, por në njërën prej tyre, atë „Biza-80“, për shkaqe që do t’i rendis më poshtë, ajo nuk e realizoi detyrën. Diku mes Okshtunit të Dibrës dhe Martaneshit të Matit nënreparte të saj u shpartalluan, e në ikje për të parë sa më shpejt një ndeshje futbolli në Tiranë, pati edhe kosto në jetë njerëzish. Kjo do të sillte analiza të shumta, ndëshkime për drejtuesit e brigadës, por ku nuk do të shpëtonim edhe unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Maliq Sadushi, si zëvendësministër që mbulonte stërvitjen. Ç’ndodhi atë dimër të egër Stërvitja e Brigadës së parë ishte planifikuar si njësi rezervë e Komandës së Përgjithshme dhe një nga detyrat e saj e kishte në drejtimin e Steblevës, zonë kufitare me ish-Jugosllavinë, që ishte një nga drejtimet e rëndësishme të një sulmi eventual të armikut në atë drejtim. Prandaj edhe kjo stërvitje ishte parashikuar në këtë rajon, por marshimi do të bëhej ashtu siç u bë dhe një vit më pas, pra i inkuadruar në stërvitjen “Shebeniku 80”. Lëvizja e trupave ishte Tiranë-Qafë Priskë- Fushë Bizë, me përqendrimin në Qafën e Pervallit. Ndërsa detyrën për kundërsulm e kishte Mali i Zylit në drejtim të Malit Kallkan, ku është dhe kufiri shtetëror. Koha nuk ishte e keqe, por u përkeqësua nga dëbora e shumtë që ra gjatë marshimit. Masat që ishin marrë parashikonin kryerjen me sukses të kësaj stërvitjeje. Drejtimi i saj bëhej direkt nga komanda e shtabi i korpusit dhe pjesëmarrjen direkte të komandantit Bejto Isufi. Njëkohësisht për përgatitjen dhe kurorëzimin me sukses të kësaj stërvitjeje u ngarkuan një sasi kuadrosh të Shtabit të Përgjithshëm, përkatësisht të Drejtorisë Operative dhe të Stërvitjes. Përveç dëborës, temperaturat ishin tepër të ulëta, gjë që kërkonte masa të forta e tepër të kujdesshme që ushtarët të mos ngrinin nga të ftohtit. Rajoni i stërvitjes ku ishin përqendruar forcat kishin lëndët drusore të bollshme, dhe nuk bëhej kiameti po të merrnin (dhe në fakt ata dogjën një sasi dru të stivosura), për të cilat pati dhe kontestime nga ata që i kishin përgatitur. Kjo sasi drush të djegura më pas do paguhej nga ushtria. Në kohën e kalimit në sulm pati mjaft defekte, pasi disa ushtarë, sidomos dembelhanët, ishin fshehur e nuk dilnin nga vendet ku kishin ndezur zjarre, kurse një pjesë ishin me këmbë të vrara dhe të fryra nga të ftohtit. Kjo stërvitje në përgjithësi u realizua, por sigurisht në këto kushte edhe me mangësi. Pas përfundimit të saj u dha urdhri që kthimi i brigadës do të bëhej andej nga erdhi, ndonëse pati propozime që ajo të kthehej edhe nga Librazhdi me tren. Por për këtë unë e kundërshtova, duke thënë që ajo të kthehej në Tiranë andej nga ishte miratuar metodika. Po sipas planëzimit, gjatë kthimit brigada duhej të pushonte në Bizë, në fushime tepër të përshtatshme të dedashmetit të zbulimit. Shumëkush nga rezervistët ishin të prirë të mos pushonin, por të udhëtonin tërë natën edhe në ato kushte tepër të vështira. Qëllimi ishte që të nesërmen ata të shikoni një ndeshje futbolli, ku Ballgjini, ish-futbollist i njohur i „Dinamos“, ishte në formën e tij më të mirë dhe kishte shumë tifozë. Për këtë shkak, shumë prej tyre u shkëputën, humbën drejtimin dhe u çoroditën. Pati edhe një viktimë, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në asnjë njësi dhe në as një kohë, sa do e vështirë që të ketë qenë. NdëshkimetBrigada, me vështirësi dhe deri diku jo sipas rregullave, e bëri marshimin e kthimit, gjë që është e dënueshme një veprim i tillë për ushtrinë. Për këtë u lajmërua ministri Mbrojtjes, Mehmet Shehu. Ai informoi KQP-në dhe Enver Hoxhën. Mua në këtë situatë më komunikoi urdhrin që të nesërmen; i gjithë efektivi i brigadës të mblidhej në Yzberish. Kështu u bë. Në këto konkluzione do të fliste vetë Mehmet Shehu, e ne parashikonim „furtunën“. Pasi brigada ishte rreshtuar, komandanti i brigadës Halim Abazi i paraqiti forcën ministrit Mehmet Shehu. Mehmeti, pas një pauze të shkurtër, tha: “Heshje varri, pse nuk flisni. Unë sot nuk do t’u flas si ministër, por si komandant i brigadës së parë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare!“. Më pas vazhdoi të flasë jo vetëm për luftën në Shqipëri, por edhe për luftën e Spanjës. Si masë e parë, në prezencë dhe të Mehmetit, u propozua që tre oficerëve rezervistë t’u hiqet titulli i oficerit dhe dy veta të shikohen nga qendrat e punës që nëse duhet të jenë në ato vende pune apo jo. Bëhej fjalë kryesisht për ata që punonin në radio-televizion, pasi këta punonjës bënin një pjesë të mirë të efektivit të Brigadës së Parë. Enver Hoxha:“Pse u shpartallua Brigada e Parë!“Nuk kishte përfunduar këtu analiza dhe as përgjegjësitë. Pas disa ditësh u bënë konkluzionet në Këshillin e Mbrojtjes, ku përveç anëtarëve të tij, merrnin pjesë dhe zëvendësministrat e Mbrojtjes. Enveri ishte tepër i nervozuar dhe e hapi këtë mbledhje po me nervozizëm, duke na thënë: “Ju kemi thirrur në këtë takim të na raportoni zë për zë pse kjo brigadë që e keni mburrur kaq shumë, është shpartalluar, gjithashtu dua të më propozoni dhe masat përkatëse”. Fjalën i pari e mora unë si shef i Shtabit të Përgjithshëm, por dhe si anëtar i Këshillit të Mbrojtjes. Materialin e lexova, sigurisht duke evidentuar edhe masat paraprake që kishim marrë rreth mangësive si dhe masat që duhej të merreshin për ndreqjen e tyre në të ardhmen. Pas meje fjalën e mori zëvendësministri që mbulonte stërvitjen, shoku Maliq Sadushi. Edhe ai filloi të lexonte diskutimin, por Enver Hoxha nuk e lejoi. I nervozuar, iu drejtua: “Atë material dorëzojeni aty dhe na fol pa kartë!“. Sa tentoi Maliqi të nisë, Enveri përsëri e ndërpreu duke i thënë: “Më thuaj pse Bejto Isufi ka kërkuar që brigade e parë të kompletohet nga fshati e jo nga qyteti!”. Maliqi iu përgjigj me një farë nervozizmi, duke i thënë: ”Se unë s’e di çfarë ka thënë apo çfarë ka në kokë Bejto Isufi”. Enveri përsëri ndërhyn dhe i thotë: “Ai ka mendimin e gabuar dhe ka kopjuar Beqir Ballukun në teorinë e rrëshqitjes, prandaj ai menjëherë duhet të çmobilizohet nga ushtria!”. Situata u bë e ashpër. Mehmeti ngrihet dhe i thotë: “Shoku Enver, Bejtua është një komandant i mirë, i përkushtuar, punëtor dhe unë nuk kam mendimin se ai ka kopjuar Beqir Ballukun, prandaj na e lër neve në dorë këtë punë ta gjykojmë dhe ta lëmë akoma në ushtri se edhe pak kohë ka e del në pension”. Ndërhyn Enveri kundër Mehmetit dhe i thotë: “Ju, shoku Mehmet, keni bërë gabim që keni folur në brigadë jo si ministër, por si komandant i brigadës së parë të luftës. Ky qëndrim e veprim nuk është i drejtë!”. Në fund Këshilli i Mbrojtjes vendosi: Komandanti, komisari e sekretari i grupimit të Tiranës të shkarkohen nga detyrat, ndërsa shokët Veli Llakaj e Maliq Sadushi të marrin nga një vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra. Me kaq kjo mbledhje dhe kjo histori u mbyll.